Shkrimtari

Tekst
0
Recenzje
Przeczytaj fragment
Oznacz jako przeczytane
Czcionka:Mniejsze АаWiększe Aa

Pasadena, Kaliforni – Lajmi

«Po tani si do t’ia bëjmë me këtë xhinglën?» pyeti tipi i gjatë dhe i hollë ndërkohë që hipte nga ana e shoferit, brenda një makine Chevrolet Corvette në ngjyrë të kuqe si zjarri.

«E ke fjalën për makinën apo për pajisjen aliene?» e pyeti shoku i tij trupmadh ndërkohë që, me shumë zor, po përpiqej edhe ai të hipte brenda makinës së shpejtë sportive.

«E kisha fjalën për pultin e kontrollit, edhe pse nuk e kuptoj akoma vendimin tënd për të blerë një automjet si ky, duke parë se nuk ia del dot as të futesh brenda.»

«Më duket se edhe ti ke ndonjë vështirësi, i dashur pishtari im ndriçues.»

«Pikërisht. Nuk mundeshim dot të merrnim diçka pak më komode për ne të dy?»

«Kur ta shkelësh këmbën në pedalin e gazit të kësaj bishës, do ta kesh menjëherë të qartë përsenë» dhe pasi e mbylli me shumë forcë derën, shtoi «Ec tani, ikim.»

«Të ikim ku?»

«Të kthehemi tek baza. Dua të analizoj me qetësi të dhënat që na dha miku ynë budallai dhe të zbulojmë të gjitha sekretet e këtij aparati alien.»

«Tani mos do më thuash se di më shumë se ai. Ai m’u duk shumë i përgatitur.»

«Duhet të them se djaloshi ka bërë një punë të shkëlqyer por edhe unë kam bërë kërkimet e mia.»

«Për çfarë je duke folur?» pyeti ai i holli me mëdyshje.

«Ça mendon se kam bërë gjithë këto netë muajin e fundit, ndërkohë që ti gërrhisje si një ari në gjumë letargjik?»

«Shihje sajte pornografikë?»

«Po ku të gjeta unë ty? Kohët e fundit ia bëj shpesh pyetje vetes, e di apo jo?»

«Është fati që na bashkoi» ia ktheu ai i holli ndërkohë që shkelte deri në fund pedalin e gazit dhe shkundej akoma më shumë, dhe Corvetta fluturonte duke lënë dy vija gome të zeza mbi asfalt.

«Ej, ec ngadalë» iu vërvit trashaluqi ndërkohë që tundej mbi sediljen si pasojë e shpejtësisë së papritur. «Nuk dua aspak që ta prishësh shpejt. Kam paguar vetëm dy këstet e para.»

«Uauu» tha ai i holli. «Ecën si raketë. Është tamam bishë kjo, me vlerë të çmuar.»

«E dija që do të të pëlqente. Por tani, shiko se mos e shtrin përtokë atë plakën» i foli shoku trupmadh, duke i treguar një zonjë elegante që po kalonte ngadalë mespërmes rrugës. «Të mundohemi që ta lëmë ta gëzojë edhe ca pensionin.»

«Mos u bëj merak plako. Je në duar të sigurta» ia ktheu tipi që po ngiste makinën ndërkohë që, me manovër të fortë, desh e preku plakën për një qime.

«Dreq» thirri trashaluqi. «Gati ia hoqe rrobat nga trupi.» Pastaj u kthye mbrapa dhe duke parë zonjën e moshuar që, duke tundur çantën s’po i linte gjë pa i thënë, shtoi «Edhe disa mallkime të tjera si ato dhe do të jesh ti ai qe nuk do ta gëzosh pensionin» dhe shpërtheu duke qeshur me të madhe.

«Lëre fare. Natyrisht që nuk jam supersticioz.»

«Dhe nuk bën mirë. Po në qoftë se ishte ndonjë që praktikon voodoon? Mund ta gjeje veten të ngritur përpjetë si bulkth ndërkohë që plaka të fut një karficë te kukulla me të cilën të simbolizon.»

«A do pushosh me këto budallallëqet dhe më thuaj më mirë se si do ia bëjmë me këtë gjënë?»

«Në rregull, në rregull. Mos u nxeh. Po bëja vetëm shaka, apo jo?» Tipi trupmadh e vendosi përsëri objektin alien në pëllëmbën e dorës së majtë dhe tha «Budallai do të ketë një thes me dije por, për kërkimet e mia, mund të të siguroj që kam përdorur kanale të cilat ai me siguri nuk do të ketë pasur mundësinë për t’u futur.»

«Nganjëherë ti më tremb.»

«A do të shohësh një gjë?»

«Bah, varet ça gjëje.»

«Në disa fajla të ndryshëm që kam lexuar në lidhje me këtë tekonologji aliene, zbulova se kjo gjëja, përveçse hedh në erë anijet kozmike, mund të bëjë mjaft gjëra po aq simpatike.»

«Por a je i sigurt se me të vërtetë ka funksionuar?» foli tipi që po ngiste makinën ndërkohë që po kalonte një kthesë me gjithë shpejtësinë, duke e hedhur pasagjerin tutje tek dera.

«Ej, a do ecësh ngadalë? Vetëm policat kemi mangut që të na vihen nga pas dhe të na arrestojnë përsëri.»

«Më erdhi një ide» foli atë moment tipi i hollë. «Ndize radion.»

«Por të duket momenti i përshtatshëm për të na vënë të dëgjojmë ndonjë këngë?»

«Po jo pra, ti ore që s’je veçse një idiot. Vër lajmet.»

Tipi trupmadh, ndonëse po aq në mëdyshje, vendosi të mos bënte pyetje të tjera dhe, pasi kishte ndezur radion, nisi të ndërronte disa stacione derisa gjeti një që po transmetonte lajme nga bota.

«Pasi u futën me forcë në bankën qendrore, të katër keqbërësit me fytyra të maskuara, duke u drejtuar pistoletat dhe pushkët automatike, i kërcënuan punonjësit që të mbushnin çantat me para. E gjithë grabitja zgjati më pak se pesë minuta. Me mbërritjen e policisë, grabitësit ishin zhdukur pa lënë gjurmë. Postblloqe janë ngritur në të gjitha rrugët hyrëse në qytet.»

«Po ça na plas neve për këto gjëra?» pyeti atë moment trashaluqi gjithmonë e më në mëdyshje.

«Ki durim miku im, ki durim.»

«Dhe tani të kthehemi tek lajmi i hapjes. Duket sikur ka disa lajme të fundit interesante. Linja për të dërguarin tonë në Washington, Fred Salomon.»

«Faleminderit Lisa. Gjendem në sallën e konferencave në Shtëpinë e Bardhë ku Presidenti sapo ka mbërritur dhe do të japë një deklaratë zyrtare. Ta dëgjojmë direkt.»

Pati ca momente heshtjeje pastaj zëri i veçantë i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u përhap nga altoparlantët e fuqishëm të Corvettës.

«Zonja dhe zotërinj, para së gjithash faleminderit për ndërhyrjen tuaj. Për fat të keq lajmet që sapo më kanë ardhur nuk janë aspak të mira. Me sa duket drita verbuese, që u konstatua afro një orë më parë mbi hënë, ka qenë e shkaktuar nga një shpërthim i pamasë dhe ka prekur pikërisht anijen kozmike të miqve tanë alienë. Akoma nuk e dimë nëse kanë arritur të shpëtojnë apo jo. Do të vijojmë me një deklaratë të mëvonshme sapo të kemi lajme të tjera në lidhje me këtë. Ju faleminderit.»

«Ça dreqin» thirri trashaluqi i shastisur. «Pra e paskemi hedhur në erë vërtet.»

«Dhe nuk je i kënaqur? Kur ishim tek budallai dukej sikur ishte gjëja të cilën dëshiroje më shumë në botë.»

«Bah, po... sigurisht... Por, fundja, më vjen keq paksa.»

«E pabesueshme. Nuk e kisha menduar kurrë se brenda atij trupi bullafiq gjendej edhe një zemër.»

«Tani boll më me këto budallallëqe» foli ai i shëndoshi me një pamje prej të penduari. «Jepi gaz dhe të shkojmë tek baza.»

Planeti Kerion – Zbulimi tragjik

«Kontenitori (|) sapo doli nga tuneli i ndërkomunikimit» njoftoi keriani i vockël xhuxh që merrej me kordinimin e manovrave. «Pas 0,1 cens do të arrijë pikën e ndalesës.»

«Dua që të sillet këtu menjëherë për verifikimin e përmbajtjes dhe për analizën e të dhënave të memorizuara» e urdhëroi Supervizori i RTY-së vartësin e vet.

Objekti i pazakontë në formë ovoidale, që vinte nga afro gjashtëdhjetë e pesë vite dritë larg, u përfshi nga një lloj fushe frenuese që e lidhi pas orbitës së planetit dhe e tërhoqi me shpejtësi në drejtim të një të çare të madhe të strukturës së pamasë, tërësisht metalike, që shtrihej për gati dyqind kilometra katrorë përgjatë ekuatorit të Kerionit.

«Kontenitori (|) pothuajse në pozicion» foli kordinatori.

«Nxitoni për ta sjellë sa më shpejt këtu» u shpreh RTY. «Duhet të zbulojmë medoemos se çfarë ka ndodhur sipër /\.»

Sapo karkasa arriti pikën e ndalesës, u mor menjëherë në ruajtje nga dy kerianë me pamje padyshim të pazakontë. Njëri ishte shumë i ngjashëm me një tip rimorkio pa rrota, ndërsa tjetri ishte më i krahasueshëm me një gaforre të stërmadhe me gjashtë kanxha. Ai me pamjen e gaforres e kapi enën me delikatesë dhe e vendosi në brendësi të kerianit/rimorkios që, pasi ishte siguruar për lidhjen me ganxhë, u nis pa lëshuar zë fare me një shpejtësi të jashtëzakonshme në drejtim të laboratorëve.

«Kontenitori (|) mbërriti» u shpreh kordinatori. «Ekipi i verifikimeve, kryeni analizën komplete të përmbajtjes.»

Katër kerianë, edhe ata të formave po aq të çuditshme, dolën mbi objekt dhe, pasi e hodhën në një pellg të vogël që përmbante një solucion me bazë amoniaku, nisën skanimin e brendshëm. Kaluan vetëm pak minuta kur keriani më i vogël nga të katërt njoftoi «Nëntëqind e nëntëdhjetë shpirtra prezentë, të gjithë në gjendje të përsosur. Po i dërgoj sistemit qendror regjistrimin e eventeve të memorizuara nga kapsula.»

«Mbi ekran» urdhëroi RTY prerazi.

Imazhet treguan sipërfaqen e hënës në largësi të shpejtë ndërkohë që një objekt i madh përsosmërisht sferik po i afrohej zonës së laboratorit të nëndheshëm /\. Pas pak çastesh, një dritë verbuese përfshiu thuajse gjithçka që gjeti aty dhe menjëherë pas saj, nuk mbeti më asgjë. E gjithë zona ngjante sikur ishte goditur nga një çekiç gjigand. Imazhet treguan vetëm një zonë shumë të madhe të sheshtë të dheut hënor, jashtëzakonisht të lëmuar dhe të sheshuar. Regjistrimi vazhdoi akoma edhe për disa çaste duke treguar satelitin gjithnjë e më larg, dhe pastaj u ndërpre.

 

«Laboratori» thirri RTY-ja i shastisur. «U shkatërrua krejtësisht.»

«Nuk ka tjetër» komentoi hidhur kordinatori. «Regjistrimi përfundoi.»

«Ky është një sulm i pacipë dhe i paramenduar ndaj avampostit tonë. E dija se nuk duhet t’i zinim besë atij lloj alieni.»

«Je i mendimit se ajo armë sferike është ndërtuar nga vetë ata?»

«Vetëm dy planete janë të banueshëm në atë sistem diellor dhe në të dyja gjenden qenie të atij lloji. Nuk duhej ta kishim vendosur bazën tonë aty.»

«Është një tragjedi e pamasë» foli gjithë trishtim kordinatori kerian. «Tek laboratori kishte afro dhjetë milionë shpirtra gati për t’u zhvendosur. U shpëtuan vetëm nëntëqind e nëntëdhjetë të cilët ia dolën t’i largoheshin katastrofës nëpërmjet kapsulës (|).»

«Unë nuk po arrij akoma ta besoj» u shpreh RTY-ja i shtangur. «Duhet të lajmërojmë menjëherë TYK Suprem.»

Tell-el-Mukayyar – Imazhet

Petri dhe tre miqtë e tjerë ndërkohë ishin zhvendosur në brendësi të tendës laboratorike të profesoreshës Hanter.

«Tani po bëhem vërtet kureshtar» tha Azakisi nën ankth. «Dua të shoh tamam se çfarë nuk ka funksionuar në sistemin tënd të lidhjes me ganxhë.»

«E jo, i dashur. Do ta shohësh që gjërat qëndrojnë paksa ndryshe» ia ktheu Petri ndërkohë që shfaqte një hologram tredimensional, në një lartësi rreth gjysëm metri nga toka.

«Vërtet më mrekullon kjo që po bën» u shpreh Xheku ndërkohë që sodiste imazhet që formoheshin pikërisht në mes të tendës, dhe po merrej me një instrument të çuditshëm dhe skenat riprodhoheshin nga e para. «Ky është momenti kur kemi paraqitur në Zonën 51 gjeneralin Kembëll, senatorin Preston dhe dy personazhet qesharake që na sulmuan kur po përpiqeshim të merrnim ngarkesën.»

«Po, po. Më kujtohet shumë mirë» komentoi Azakisi.

«Tani po ju tregoj diçka» dhe hologrami shfaqi një tip trupmadh që po i afrohej me kërcënim Azakisit, duke i dhënë një rrahur të lehtë supeve.

«Pandeha se po më kërcënonte» foli komandanti alien. «Nuk më lëvizi as edhe një milimetër. Po ç’hyn kjo me zhdukjen e pultit të kontrollit?»

«Prit. Lëre sa të zmadhohet ky detaji... Ajo që po shihni është dora e trashaluqit ndërkohë që, me një aftësi të zhdërvjellët, po merr aparatin nga rripi yt i mesit.»

«E pabesueshme» thirri koloneli. «Një manovër e denjë për hajdutët më të mirë të xhepave që vërtiten nëpër metro.»

«Me pretekstin e të rrahurës së supeve përfitoi për të të vjedhur pultin e kontrollit» shtoi Elisa. «Është një teknikë e vjetër që hajdutët e përçojnë brez pas brezi.»

«Ma ka vjedhur ai?» pyeti Azakisi i shastisur.

«Fiks ai, plako» konfirmoi Petri.

«Po si dreqin ia ka arritur që ta riaktivizojë dhe të zbatojë komandën e vetëshkatërrimit? Ti madje e kishte çaktivizuar krejtësisht apo jo?»

«Po Zak. Aparati ishte çaktivizuar. Ka të ngjarë që ai dhe shoku i vet, pasi janë liruar, i janë vënë punës për të kërkuar në mes të informacioneve të panumërta që u kemi lënë tokësorëve sesi të shmangnin sistemin e bllokimit.»

«Ata të dy na shkatërruan anijen dhe na penguan që të ktheheshim në shtëpi» shfryu Azakisi në kërkim të një inati të paparë ndonjëherë. «Kur të më bien përsëri në dorë do t’i bëj që të pendohen që kanë ardhur në këtë botë, për be.»

«Qetësohu, miku im. Tashmë, ajo që u bë, u bë. Nuk mund të zhbëjmë dot më asgjë. Ajo që do na duhet të bëjmë është të biem në gjurmë të atyre të dy qelbësirave dhe të marrim atë që na kanë vjedhur para se të zbulojnë edhe funksionet e tjera që ka.»

«Pse, çfarë funksioni tjetër ka?» pyeti Elisa gjithë kureshtje.

«Ta lëmë fare për momentin. Më mirë mos ta dish.»

«Ça dreq, sa shumë mistere» ia ktheu profesoresha e pakënaqur.

«Sigurisht, nëse ia arritën të zbulonin aktivizimin e vetëshkatërrimit, mund të gjejnë edhe funksionet e tjera» tha Azakisi i merakosur.

«Por a nuk duhet të mendonit që më parë për një sistem tjetër për t’u kthyer në shtëpi?» pyeti koloneli. «Nuk më duket se kjo është një punë aq urgjente.»

«Ke të drejtë Xhek por ajo pajisje në duar të gabuara, mund të ishte vërtet me rrezik.»

«Dhe padyshim që ato janë duar të gabuara» shtoi Elisa.

«Ndoshta do të gjendej një sistem» foli Petri gati nën zë.

«Atëherë? Do flasësh apo jo? Duhet të të lutem në gjunjë?» foli Azakisi gjithë mërzi.

«Ai aparat është i pajisur me një sistem ushqimi të veçantë. Nëse do gjendeshim akoma në Theos do të mund të realizoja një pajisje që të arrinte të identifikonte gjurmët që lë pas.»

«Dhe të ra ndërmend vetëm tani?» Azakisi kishte ndryshuar krejtësisht. «Nuk mund ta bëje sapo e pamë që qe zhdukur?»

«Më vjen keq por ky sistem kërkimi funksionon vetëm nëse objekti është në lëvizje dhe e kemi marrë si të mirëqenë faktin që të ka rënë në ndonjë vend.»

«Tani qetësohuni djema» foli koloneli, duke i theksuar fjalët e tij me anë të gjesteve me duar. «Fundja, me aq sa kuptova, pa Theosin nuk mund të bëhet dot asgjë, apo jo?»

«Bah, ndoshta do mundesha të organizoja diçka po njëlloj» foli Petri duke kruajtur kokën.

«Më falni për shpërthimin, miku im» tha komandanti i penduar. «E di që nuk është faji yt. Ky është vërtet një moment i keq për të dy.» Pastaj, duke i vënë një dorë tek supi, shtoi «Shiko se çfarë mund të bësh. Besoj se është shumë e rëndësishme që ta gjesh dhe ta marrësh përsëri atë objekt sa më shpejt që të mundesh.»

«Mos u merakos Zak. Pa problem fare. Do të përpiqem të sajoj ndonjë gjë, duke u rregulluar me ato pak mjete që më kanë ngelur.»

«Vetëm ti mund t’ia dalësh mbanë. Jemi në duart e tua»

«Po shkoj» dhe, pa shtuar gjë tjetër, Eksperti doli nga tenda laboratorike duke lënë pas vetëm disa shtëllunga pluhuri.

«Do t’ia dalë?» pyeti Xheku i pasigurt.

«Sigurisht. Nuk kam asnjë dyshim. Petri ka aftësi të jashtëzakonshme. Më shumë se një herë e kam parë të realizojë gjëra që as edhe një ekip me Artizanët më të mirë nuk do ishte në gjendje t’i bënte. Është një person fantastik. Më vjen keq që kam qenë ca si shumë i ashpër me të. I dua të mirën me shpirt dhe do të isha gati të jepja jetën për të në çfarëdo lloj momenti.»

«Mos u shqetëso Zak» foli Elisa me një zë të thellë shumë të ëmbël. «Ai e di shumë mirë. Është një moment i keq por do ta kapërcejmë pa probleme. Nuk kam fare dyshim.»

«Faleminderit Elisa. Vërtet shpresoj me gjithë zemër.»

Pasadena, Kaliforni – Skuta

Sapo u hap dera, burri tepër i shëndoshë u godit nga një rrymë e këndshme me ajër të freskët. Kondicioneri i dhomës, i ndezur që një mbrëmje më parë, e kishte bërë punën e vet në mënyrë fantastike.

«Ça mrekullie» tha. «Nuk po mundja ta duroja dot më atë të nxehtë asfiksues.»

«Sikur të vendosje të bëje një dietë serioze dhe të liroheshe nga gjithë ai dhjamë që mban me vete, i nxehti nuk do të të bezdiste edhe aq shumë.»

«Por ti gjithmonë me tulet e mia kapesh?»

«Quaji tule. Do mund të rrije pa merak një muaj pa ngrënë» u shpreh tipi i hollë që shpërtheu menjëherë pas kësaj në një të qeshur me zë të lartë.

«Po bëj sikur nuk e dëgjova.»

Apartamenti i vogël që të dy e përdornin si bazë ishte rregulluar në mënyrë krejtësisht spartane. Në sallonin kryesor kishte vetëm një tavolinë të thjeshtë druri në ngjyrë të hapur me katër karrige në po atë ngjyrë dhe një divan të rëndë ngjyrë gri të errët me shiltet dhe krahët e ngrëna. Në qoshen në afërsi të derë-dritares që shikonte mbi një oborr të trishtueshëm, një vazo plastike ngjyrë kafe mbante brenda ato çka kishin mbetur nga një lule Washingtonia Filifera e cila, pavarësisht rezistencës së saj ndaj klimës së thatë, ishte tharë disa javë më parë si pasojë e mungesës së ujit. Banjoja tepër e vogël tregonte shenja të dukshme të neglizhencës. Disa pllaka kishin dalë nga vendi dhe njolla të mëdha të errëta mbi tavanin e dalë boje dëshmonin për rrjedhje uji që asnjëherë nuk ishte ndrequr. Dy dhoma gjumi tepër të ngushta, secila me nga një krevat të vetëm dhe një komodinë të prishur, bashkë me një aneks guzhine ku gjendej një mobilje të paktën njëzet vite e vjetër, kompletonin gjithçka tjetër të atij të ashtuquajturit apartament.

«Natyrisht që përsa i përket shijeve në zgjedhjen e skutave, ti je vërtet më i miri, hëë?» komentoi tipi i gjatë dhe i hollë.

«Pse? Çfarë ka që nuk shkon në këtë vend?»

«Është një mishmash. Ja çfarë ka që nuk shkon. Këtu flasim gjithmonë për të bërë një thes me pare por, në fund, katandisemi përherë në këto gjiriza të shpifur.»

«Por ti gjithmonë ankohesh» ia ktheu ai i shëndoshi. «Të përpiqemi se mos e vendosim këtë gjënë dhe do ta shohësh që do të rregullohemi një herë e mirë.»

«Epo, meqë e thua ti... Puna është se unë nuk jam edhe aq i bindur.»

«Ec tani, më kalo kompjuterin portabël që të tregoj një gjë.»

Tipi i hollë mori nga mbrapa divanit një çantë të vogël të zezë me rrip dhe nxori prej andej një notebook ngjyrë gri të errët. E kqyri për një çast pastaj ia kaloi shokut të tij që e vendosi mbi tavolinë dhe e ndezi. Ndenjën të dy për pak duke vështruar ekranin ndërkohë që sistemi përfundonte proçedurën e ndezjes, derisa në një moment të caktuar, tipi i hollë shfryu «Nuk i duroj dot më këto gjëra. Po kaloj orë të tëra duke parë kolona progresi, ora me rërë që rrotullohen, azhornime të ndryshme... Si është e mundur që nuk arrihet që të bëhet një kompjuter që të funksionojë si televizor? Shtyp butonin dhe ndizet.»

«Tamam, do të ishte vërtet gjë e bukur. Kurse unë, gjëja që urrej më shumë është kur, pasi ke mbaruar së punuari dhe do ta fikësh për të vajtur në shtëpi, kompjuteri të paraqet një goxha mesazh ku shkruhet “Mos e fik kompjuterin. Azhornimi i instalimit nga 1 në 325 është duke u ekzekutuar...” dhe të takon të presësh gjysëm ore ndërkohë që bën ato punët e veta. Po a nuk mund t’i bënte që më parë ato dreq azhornimesh? Duhej të më priste pikërisht mua që të bëhesha gati për t’u larguar?»

«Eh, informatika. Ndoshta, programuesit që kanë projektuar këto sisteme gëzohen madje kur na shohin ne të shkretët e pakallur që shkatërrojmë nervat para “krijimeve” të tyre.»

«Po thua se e bëjnë kastile?»

«Nëse mendon se sot, për të shkruar një letër, nevojitet një kompjuter me një forcë përpunuese miliarda herë më të madhe se ajo që misionet Apollo kanë përdorur për të dërguar njeriun në hënë, ma ha mendja se diçka është duke shkuar keq në evoluimin teknologjik.»

«Por, ti je eksperti» komentoi ai i holli. «Me siguri që, kohë kanë humbur shumë por pa këto pajisje tashmë nuk do arrijmë dot të shkojmë as në banjë.»

«Lëre fare, ec tani se më mirë është. Shiko më mirë se çfarë kam zbuluar gjatë netëve të mia pa gjumë.»

Burri trupmadh shfaqi mbi ekran një sërë imazhesh që duhej t’i kishte marrë në ndonjë arkiv vërtet jo publik. Shfletoi disa prej tyre dhe pastaj tha «Ja pra. Ato që po sheh tani besoj se janë një seri kombinimesh karakteresh kuneiforme, që janë në gjendje të aktivizojnë funksione të tjera shtesë të kësaj pajisjeje.»

«Po ku i ke marrë?» pyeti i holli me habi.

«Nëse ta them, atëherë më duhet të të vras pastaj» iu përgjigj trashaluqi me një pamje shumë serioze.

 

Tipi i gjatë dhe i hollë ngeli për një çast si i paralizuar pastaj e kuptoi që shoku i tij kishte bërë siç dukej një shaka dhe, pasi i dha një goxha shkelm, tha «Je vërtet trap. Hajt pra më lër të shoh atë zbulimin e parrëfyeshëm.»

«Prit, më parë më trego se çfarë na ka dhënë ai budallai» dhe futi në kompjuter fleshin USB që kishte marrë nga djali. Kaloi shpejt një seri failash njëri pas tjetrit duke hapur ndonjërin herë pas here, derisa i tërhoqi vëmendjen një imazh që e kishte parë më parë. «Shihe këtë» tha.

«Dhe ç’do të jetë vallë?»

«Është një sekuencë karakteresh që e njoh tashmë.»

«Nuk e kuptova.»

«Po je tamam trap. Ky kombinim është ai që ka aktivizuar komandën e vetëshkatërrimit të anijes kozmike dhe jam i sigurt se e kam parë tashmë në kërkimet e mia personale.»

Tipi i hollë, për të shmangur sharjet e tjera në vazhdim, u mjaftua me një murmurimë të thjeshtë.

«Ja ku është» foli përsëri trashaluqi, duke treguar po atë seri imazhesh që po shihnin më parë por duke veçuar njërën prej tyre me anë të mausit. «Kjo është.»

«Po, dhe pastaj?»

«Pastaj, nëse kjo sekuencë ka funksionuar, ndoshta edhe këto të tjerat që tregohen këtu mund të jenë aktive.»

«Arsyetimi qëndron.»

«Si thua sikur të provosh njërën?»

«Po a nuk do të ishte me rrezik? Më duket se shumë kemi bërë përsa i përket dëmeve.»

«Je vetëm një qullash» i tha ai i shëndoshi. «Më e keqja që mund të ndodhë është hedhja në erë e ndonjë prej atyre anijeve kozmike të mallkuara.»

«Po në se hidhemi ne në erë? Nuk dimë asgjë për këtë.»

«Ec tani ta provojmë» foli në atë moment trashaluqi, me pamjen e një djaloshi që po bëhet gati të ndezë një fishekzjarr poshtë shtratit të gjyshit që fle ndërkohë si qingj.

«Bëje ti. Unë po shkoj të fshihem aty.»

«Gjithmonë shumë guximtar, ëë? Mos u bëj merak, e bëj unë, ti ore që nuk je gjë tjetër veçse një femër.»

Kështu që tipi trupmadh, pasi priti që shoku i tij të rehatohej në dhomën ngjitur, mori frymë thellë dhe, duke përdorur gishtin tregues, shënjoi mbi sipërfaqen e objektit sekuencën e parë të shfaqur mbi ekran. Fill pas kësaj e vuri aparatin mbi divan dhe u hodh në tokë me duart sipër kokës. Priti disa sekonda pa lëvizur fare por asgjë nuk ngjau. Ngeli edhe për pak kohë i shtrirë mbi dysheme dhe menjëherë pasi ishte siguruar fare mirë se nuk kishte rreziqe të mundshme, ngriti lehtë kokën. Pulti i kontrollit në largësi po qëndronte qetë qetë mbi ndenjësen e divanit dhe nuk dukej se funksiononte në rregull.

«Atëherë? Çfarë ndodhi?» pyeti shoku i tij, duke bërë pak roje nga dera gjysëm e mbyllur.

«Absolutisht asnjë.»

«Nuk është se ke gabuar në shtypjen e sekuencës?»

«Nuk besoj. Më duket se gjithçka e kam bërë në mënyrë korrekte» tha trashaluqi ndërkohë që, me shumë kujdes u ngrit dhe iu afrua sërish objektit alien.

«Ec tani, provoje prapë. Unë po rri këtu.»

«Faleminderit për ndihmën. Çfarë do bëja pa ty?»

Këtë herë, tipi trupmadh vendosi që mos të hidhej përsëri në tokë dhe formoi sekuencën duke ndenjur thjesht ulur në kolltuk. E përsëriti veprimin edhe herë të tjera por objekti nuk dukej se kishte ndonjë reagim.

«Asgjë hiç» shtoi në atë moment tipi i shëndoshë.

«Ndoshta po ua shkatërrojmë të gjitha anijet që kanë» komentoi tipi i gjatë ndërkohë që zgjaste përsëri kokën nga dera.

«Mos fol budallallëqe. Budallai na tha se kjo gjëja këtu ka një rreze veprimi disa qindra mijëra kilometra. Nibiru kushedi se ku ka mbërritur tashmë. Kurse unë mendoj shumë më thjesht se, kjo sekuencë nuk funksionon.»

«Atëherë të provojmë një tjetër, apo jo?»

«Ta provojmë? Mua më duket se jam vetëm unë që po e “provoj”.»

«Eh, sa fiskal që je. Nga ana tjetër, kush është ai më teknologjiku nga ne të dy?»

«Dakord, dakord. Tani po e provoj me të dytën.»

Tipi i shëndoshë i kaloi dhjetë minutat në vazhdim duke formuar njëra pas tjetrës, thuajse të gjitha kombinacionet që kishte shfaqur mbi ekranin e kompjuterit por asgjë e pazakontë nuk ndodhi.

Në të njëjtën kohë, duke parë se situata nuk përbënte ndonjë rrezik, aty afër erdhi edhe shoku i tij dhe të dy bashkë po bënin hamendësime dhe supozime të të gjitha llojeve.

«Ndoshta imazhet janë nga e kundërta» foli, në një moment të caktuar, ai i holli.

«Por jo. Karakteret kuneiforme mbi pultin e kontrollit janë në të njëjtin radhitje si ato në video.»

«Atëherë “burimet” e tua fantastike duhet të jenë të thara.»

«Nuk është e mundur. Duhet të funksionojë. Jam i sigurt.»

«Ngelen vetëm dy për t’i provuar. Nëse nuk funksionojnë as ato, do ta hedhim në kosh këtë gjënë dhe shkojmë të pimë diçka të freskët.»

Tipi trupmadh shfryu dhe, pa shtuar gjë tjetër, formoi pa shumë bindje, sekuencën e parafundit. Pasi u shfaq edhe simboli i fundit, ndjeu një dridhje shumë të lehtë dhe një çast më vonë, nga pjesa e përparme e aparatit, i çlirua një tip drite verbuese jonatyrale. Pati një kërcitje të lehtë dhe, në murin e zhveshur që kishin para, u hap një dritare tjetër, me formë të përsosur rrethore, dhe diametër afro gjysëm metri.

«Po ça dreqin...» u shpreh tipi i hollë me sytë e hapur tej mase.

«Ça dreqin...» shtoi miku i tij po aq i shtangur.

Me këmbët që po u dridheshin akoma nga frika, u ngritën dhe u afruan me kujdes te vrima në mur. Qe ai më i gjati i cili, pasi futi kokën brenda të çarës, tha «Është e pabesueshme. Faqja e murit u zhduk dhe kemi shpuar edhe atë stendën reklamuese të makinës aty poshtë. Do të jetë të paktën njëqind metra prej këtej!»

To koniec darmowego fragmentu. Czy chcesz czytać dalej?